Ndërhyrja në TIMS, gjykata e "kyç" në shtëpi, Ervin Muça: Jam pa faj, nuk kopjova

Nga A2 CNN
12 Prill 2024, 20:07 | Kronikë

Përpara se të shfajësohej para gjykatës së Tiranës, Ervin Muça, drejtori i pezulluar i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, u shfajësua para gazetarëve.

I akuzuari për ndërhyrje të paautorizuar në sistemin TIMS tha se kishte bërë vetëm detyrën dhe se nuk kishte kopjuar asnjë të dhënë.

I njëjti qëndrim u mbajt nga Muça edhe në seancën e verifikimit të masës së sigurisë të dhëna në mungesë ndaj tij. Vetë dhe përmes avokatit Bledar Meminaj, ai kërkoi të hetohej pa masë sigurie.

Muça ka pretenduar se kopjimi i sistemit do të bëhej për back up, për të pasur një kopje offline që do të ruhej sipas rregullave në kasafortën e Policisë së Shtetit. Përpos pretendimeve të Muçës, gjykata vendosi të lerë në fuqi masat e “arrestit në shtëpi” dhe “pezullimit nga detyra”.

Sipas prokuroris së Tiranës, Muça akuzohet për “ndërhyrje të paautorizuar kompjuterike” në sistemin TIMS, sistem ku regjistrohen hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë e të huaj në pikëkalimet kufitare, dokumente biometrike, aksionet e policisë, dosjet hetimore e një sërë të dhënash sensitive e sekrete.

Referuar hetimit, mbrëmjen e 2 gushtit 2023, duke përdorur kodet hyrëse të një punonjësi jo prezent dhe në shoqërinë e një personi të paautorizuar, jo punonjës në departament dhe kanë bërë nxjerrje të dhënash nga sistemi, në shkelje të ligjit.

Për të kryer këtë veprim, prokuroria thotë se Muça ka vënë nën presion edhe vartësit e tij në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli