Dy protestues të tjerë të opozitës janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen për aktet e dhunës dhe goditjen e forcave të rendit gjatë tubimit të së hënës mbrëma, që pa Kryeministrinë, selinë e PS, Parlamentin e Ministrinë e Brendshme të përfundonin në flakë.
Policia e kryeqytetit sqaron se në pranga ka rënë një 49-vjeçar nga Kruja dhe një 47 vjeçar nga Tirana, ndërsa në gjendje të lirë janë duke u hetuar 5 shtetas, mes tyre edhe një i mitur, shkruan A2.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:
- S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;
- G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrimi i pronës", parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik", parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.”
Kujtojmë se 24 orë më para policia vuri në pranga një 57-vjeçar nga Tirana për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr", akte këto të kryera gjatë protestës së thirrur nga Partia Demokratike.
Po ashtu autoritet kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Nokën, kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi, por edhe Ervin Minarollin, i cili është sekretar organizativ i selisë blu. Treshja në fjalë janë proceduar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, raporton A2. (A2 Televizion)