Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami ishte i ftuar në Debat ku bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit, ku agjentët e BKH arrestuan kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Sipas gazetarit Bajrami, hetimi i SPAK kishte më shumë se 10 muaj që vijonte dhe prokurorët kishin arritur të provonin se Veliaj së bashku me familjarët dhe njerëz të fuqishëm pranë tij kishin krijuar një skemë për përvetësimin e fondeve shtetërore.
Bajrami shton se prokurorët dyshojnë se Veliaj firmoste leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm në këtë fushë dhe “pjesën e tij” e merrte përmes pagesave në OJF.
“Për herë të parë Veliaj, i mandatuar për herë të tretë si titullar i bashkisë, doli nga zyra në cilësinë e një personi të arrestuar. E gjithë kjo falë një vendimi gjyqësor të GJKKO që pranoi vendimin e SPAK për caktimin e një mase sigurie arrest në burg. Sipas SPAK ai akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë dhe atë të pastrimit të parave. I njëjti vendim ka caktuar dhe 7 masa të tjera sigurie, një nga të cilat arrest në shtëpi për bashkëshorten e tij Ajola Xoxe e akuzuar për 3 vepra penale, dy prej të cilave njësoj si Veliaj, teksa e treta për fshehje të pasurisë. Një masë me burg është për Elman Abule, teksa për 5 biznesmenë të tjerë ka detyrim paraqitje për korrupsion aktiv.
Sipas SPAK kjo vjen pas një hetimi 10 mujor në bazë të një kallëzimi të bërë nga Nesti Angoni, identitet për të cilin Veliaj pretendon se nuk ekziston. Veprimet hetimore kanë provuar që kryebashkiaku, me bashkëshorten, kishin krijuar një skemë kriminale për përvetësimin e fondeve shtetërore. Veliaj firmoste cdo lëvrim fondesh për llogari të të tretëve dhe dyshohet se ka firmosur daljesh fondesh për biznesmenë që një pjesë të parave ja kanë rikthyer. Iu ka dhënë leje ndërtimi biznesmenëve pranë tij dhe janë kthyer pagesat përmes OJF”, tha Bajrami.
(A2 Televizion)