Një zjarr ka rënë në një banesë në katin e tretë të një pallati në lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër, raporton A2 CNN.
Sipas burimeve, bëhet e ditur se shkak i zjarrit ka qenë shpërthimi i një bombole gazi, e cila ka djegur thuajse tërësisht orenditë shtëpiake, ndërsa kanë shpëtuar për mrekulli çifti i të moshuarve që ndodheshin në banesë.
Të moshuarit sipas Policisë, u asfiksuan nga tymi dhe u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Zjarrfikësit bënë të mundur shuarjen e flakëve, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i Policisë:
Gjirokastër/Informacion paraprak
Në katin e tretë të një pallati në lagjen "18 shtatori", për shkak të shpërthimit të një bomble gazi ka rënë zjarr në banesën e shtetasit V. K.
Nga tymi janë asfiksuar çifti i të moshuarëve P. K., dhe A. K., të cilët u dërguan në spital ku po marrin ndihmën mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e Policisë dhe evakuan banorët e tjerë të pallatit.
Shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. (A2 Televizion)