Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua me urdhër të SPAK. Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.
Momenti kur Erion Veliaj, për herë të parë, doli nga zyra e tij në Bashkinë e Tiranës, jo vetëm si qytetari i parë i kryeqytetit, por edhe si një person i arrestuar, u kap nga kamerat. Urdhër-arresti ndaj tij u miratua nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, që e akuzon të zgjedhurin tri herë si kryebashkiak për “korrupsion” në 9 raste dhe për “pastrim të parave”. Pa pranga në duar, Veliaj iu bind agjentëve të BKH dhe zyrtarëve të policisë për të shkuar me ta. Ai përdori mjetin e tij elektrik për të shkuar drejt bllokut të sigurisë, në qelitë e të cilit do të qëndrojë të paktën deri në përballjen me Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës.
I njëjti vendim gjyqësor miratoi një masë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa. Ajo akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”. Vendimi ndaj saj nuk u ekzekutua, për shkak se Xoxa ndodhet në Itali.
SPAK bindi gjykatën edhe për një masë sigurie “arrest në burg” për biznesmenin Elman Abule dhe masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të akuzuar për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”.
Sipas një komunikimi zyrtar të SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksion një mekanizëm që ka synuar dhe realizuar përvetësimin e fondeve publike të Bashkisë së Tiranës. Referuar hetimit, kryebashkiaku Veliaj, me firmën e tij, ka miratuar në disa raste shpërndarjen e fondeve publike dhe leje ndërtimi te disa shoqëri tregtare të lidhura ngushtë me të. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Skema korruptive e krijuar, sipas SPAK, ka bërë që para të dala nga buxheti i bashkisë me firmën e Veliajt të kalonin drejtpërdrejt te bashkëshortja e tij dhe, rrjedhimisht, tek vetja, përmes OJF-ve të kontrolluara prej saj. Ato kanë kaluar përmes sponsorizimeve nga shoqëri tregtare që kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike, kanë kaluar si pasuri të patundshme, specifikisht në një vilë në Qerret, si edhe janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryebashkiakut.
Sipas SPAK, përmes disa shoqërive tregtare dhe OJF-ve të kontrolluara nga bashkëshortja e kryebashkiakut, por edhe një shoqërie të Elman Abules, janë gjeneruar të ardhura në shumën e rreth 110 milionë lekëve. Po nga hetimi, rezulton se, në një periudhë prej 4 vitesh, Ajola Xoxa, vetëm ose përmes njerëzve të afërt, ka shpenzuar gati 87 milionë lekë të rinj për blerje online, veshje dhe bizhuteri. Xoxa rezulton se nuk ka deklaruar asnjë nga këto shpenzime dhe as pjesëmarrjen e saj në bordin e një OJF-je, që ka gjeneruar shumë të ardhura.
Për këtë hetim, SPAK njoftoi të hënën edhe vënien në sekuestro të një vile në Qerret, 869 mijë eurove në dy llogari të Xoxës në banka të nivelit të dytë dhe shumave të gjetura në një kasafortë nga kontrolli i SPAK: 95 mijë euro, 15 mijë dollarë dhe 665 mijë lekë.
Njëkohësisht, SPAK bëri me dije se ka regjistruar një hetim ndaj deputetes së PS, kryetare të Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Veliaj nuk jep dorëheqjen – Kryebashkiaku nis betejën me SPAK: "Idiotësi të një prokurori"
Orët e para të izolimit, Erion Veliaj duket se i kaloi duke menduar reagimin publik pas arrestimit nga SPAK. Nga qelia e Bllokut të Sigurisë, kryetari i Bashkisë kishte kohën e mjaftueshme për të hedhur disa rreshta në rrjetet sociale, duke mos pranuar asnjë nga katër akuzat e ngritura ndaj tij dhe, rrjedhimisht, duke mos hequr dorë nga mandati i kryebashkiakut të Tiranës.
Veliaj: "Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët në çatinë e SPAK-ut. Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar."
Gjuha e Veliajt ndaj SPAK ishte më e moderuar se akuzat që i drejtohen vazhdimisht organit special të akuzës, por që në fund, arrestimin e konsideroi të motivuar politikisht për të dëmtuar PS-në në zgjedhjet parlamentare.
Veliaj: "Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani. Nuk do të jetë e lehtë, sepse në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se çdo mur dhe se çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë."
Me arrestimin e Veliajt, drejtimi i Bashkisë së Tiranës do të caktohet nga Këshilli Bashkiak, i cili duhet të zgjedhë një nga katër nënkryetarët për të ushtruar kompetencat e qytetarit të parë të kryeqytetit. (A2 Televizion)