Vrau një shtetas në tetor 2022, dërgohet për gjykim bashkë me 4 të pandehur të tjerë

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2025, 12:53 | Kronikë

Vrau një shtetas në tetor 2022, dërgohet për gjykim

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq një shtetas për ‘Vrasje me paramendim’ tek kompleksi ‘Kodra e Diellit’ dhe katër të pandehur të tjerë.

Shtetasi me inicialet V.K. u dërgua për gjykim për vrasjen e shtetasit B.S., më 30 tetor 2022.

Po kështu, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq dhe katër shtetasit e tjerë, Gj.K., K.A., E.H., dhe Z.K. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.

Nga hetimet rezultoi se vëllai i viktimës në vitin 2012 është konfliktuar me vëllezërit e autorit, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.

Në përfundim të hetimeve mbi ngjarjen e tetorit 2022 ku shtetasi B.S. u qëllua me armë zjarri, këqyrjes së kamerave, vendit të ngjarjes dhe administrimit të aktekspertimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në konkluzionin se i pandehuri V.K., ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit. Pas kësaj ai ka blerë një automjet duke përdorur target e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së shtetasit B.S. është gjetur i djegur në fshatin Domje. Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.

Sa më sipër, prokuroria kërkon dërgimin në gjyq për të pestë të pandehurit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos