DETAJE/ Veliaj dërgohet te Blloku i Sigurisë, pas 48 orësh del në gjyq

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2025, 14:47 | Kronikë

Kryebashkiaku i sapo arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj është dërguar në Bllokun e Sigurisë që ndodhet pranë Komisariatit nr.3 të policisë, në rrugën “Mine Peza”.

Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra raporton se siç e njeh procedura për çdo qytetar që arrestohet, fillimisht duhet të shoqërohej në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, dhe pasi t’i komunikohej akuza dhe konfirmohej masa e sigurisë, më pas do të duhej të transportohej në Bllokun e Sigurisë.

Por, ndryshe ka ndodhur me kryebashkiakun e Tiranës. Teksa pritej ti komunikohej masa e sigurisë, A2 CNN duke ju referuar burimeve të sigurta nga agjentët e Policisë së Shtetit dhe BKH, bën me dije se Erion Veliaj është transportuar direkt në ambientet e Bllokut të Sigurisë.

Pas 48 orësh pritet që Veliaj të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Sa i përket bashkëshortes së tij, A2 CNN mëson se Ajola Xoxës nuk i është komunikuar ende masa e sigurisë "arrest në shtëpi", pasi nuk është gjetur aty. Të njëjta burime konfirmojnë se bashkëshortja e Veliajt ndodhet jashtë vendit.

Veliaj ka qenë në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës kur kanë shkuar agjentët e BKH dhe të Policisë së Tiranës për ta arrestuar. Personi që e shoqëroi është Hekuran Bregu, Shefi Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, raporton A2 CNN.

SPAK po e heton Erion Veliajn për katër vepra penale, ndërsa për fshehje pasurie është duke u hetuar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, por edhe familjarë të kryebashkiakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos