Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur nën masën e sekuestros 36 pasuri të patundshme të ish-shefit të Forcave Operacionale, Oltion Bistri, të arrestuar në korrik 2023 në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ngrirja e pasurive, që në total shkojnë në një vlerë prej 3.1 milionë euro, është bërë në zbatim të ligjit “Anti-mafia”, si pasuri që nuk justifikohen në burime të ligjshme.
Referuar vendimit të Gjykatës së Posaçme, në “rrjetën” e hetimit pasuror kanë ngelur 22 dyqane dhe ambiente biznesi në Tiranë, 10 apartamente po në kryeqytet, një prej të cilëve me sipërfaqe 400 metër katrorë, 1 vilë në një rezidencë pranë Liqenit Artificial, një truall 200 m2 në Rrugën e Kosovarëve, një garazh dhe një automjet “Range Rover”.
SPAK njoftoi se ndaj ish-zyrtarit të lartë të policisë ka pasur indicie që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale dhe se nga verifikimi i pasurive të tij dhe rrethit familjar rezultoi se zotëronin pasuri në vlera disa herë me të larta se të ardhurat.
Ish-zyrtari i policisë është marrë aktualisht i pandehur nga SPAK për akuzat e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “zbulimi të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “pastrim të parave”.
Hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e tij pas deshifrimit nga autoriteteve belge e holandeze të komunikimeve të realizuara përmes shërbimit të koduar Sky dhe EncroChat.Në shkurt të këtij viti, Bistrit iu sekuestruan me vendim gjykata edhe disa pasuri me vlerë gati 1 milionë euro. (A2 Televizion)