"Sterilizimi”, Gjykata e Posaçme i "fal" 1 milion lekë, ish-ministri Beqaj: Vendim i drejtë

Nga Armand Bajrami
18 Prill 2024, 11:30 | Kronikë

Atë që nuk e fitoi dot gjatë hetimit të SPAK, ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, e fitoi në seancën paraprake të çështjes “Sterilizimi” në gjykatë. Ish-ministri do t’i marrë aktet e dosjes pa paguar në SPAK tarifën, që shkonte në gati 1 milion lekë, 10 milion lekë të vjetër.

Përveç Beqajt Gjykata e Posaçme ia kurseu pagesën e kësaj shume secilit nga tetë të bashkëpandehurve të çështjes, mes të cilëve, ish-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

“Gjykata mori një vendim, në arsyetimin tonë dhe avokatëve shumë të drejtë. Rrëzoi pengesën artificiale të qëllimshme që akuza na ka bërë gjithë këto muaj. Urdhëroi akuzën që të na vërë në dispozicion të 602 apo 601 volumet në version elektronik pa pagesë”, tha Beqaj.

Vendimi i gjykatës erdhi si kërkesë e avokatëve, të cilët njëzëri pretenduan se nuk iu ishin vënë në dispozicion aktet e dosjes. Me tone të ashpra në sallën e gjyqit ata thanë se klientët nuk mund të paguanin tarifën e shtrenjtë në këtë fazë të gjykimit dhe se në mungesë të dokumenteve, po iu cenohej e drejta e mbrojtjes dhe e një procesi të rregullt ligjor.

Pasi iu garantoi aktet dhe provat e SPAK, gjykata iu la kohë avokatë deri në 13 maj seancën ku do të përballen me prokurorët, që kërkojnë gjykimin e të pandehurve për akuzat e “shpërdorim të detyrës”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”, të kryera gjatë lidhjes së kontratës koncesionare të “Sterilizimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos