Gjykata e Lartë refuzon rekursin e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj vendimit që nuk i dha leje të marrë pjesë në seancat parlamentare teksa qëndron në masën e "arrestit në shtëpi".
Prej disa muajsh, kreu i Rithemelimit ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai akuzohet për “Korrupsion”, gjatë kohës që mbante postin e kryeministrit, pasi dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, gjatë procedurave të privatizimit të ish- kompleksit sportiv “Partizani”. Edhe vetë Malltezi është nën hetim nga drejtësia për “Korrupsion” dhe po ashtu ndodhet në arrest shtëpie.
SPAK fillimisht kërkoi masë shtrënguese “Detyrim Paraqitje” dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, por në mungesë të respektimit të kësaj mase sigurie nga ana e ish-kryeministrit, SPAK kërkoi nga Gykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit masë sigurie “Arrest në shtëpi”, e cila u pranua nga GJKKO më 30 dhjetor 2023. (A2 Televizion)