Një ngjarje tronditëse ndodhi të premten në Ferizaj, aty ku një grua 21-vjeçe është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Krimi ka ndodhur brenda institucionit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili është shprehur i tronditur për vrasjen e 21-vjeçares. Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe përkundër përpjekjeve për rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja e sotme, janë thirrje për reflektim për të gjithë ne, si institucione dhe si shoqëri”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë”, ka shkruar Sveçla.
I plagosur ka mbetur edhe një person i mitur, i cili po trajtohet nga mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Shefi i Emergjencës në Ferizaj, Sefedin Fazliu, ka dhënë detaje për gjendjen e pacientit të mitur.
"Pacienti ka qenë i lënduar në parakrahun e djathtë dhe pas radiografisë, e cila është bërë, është konstatuar se një plumb qëndron në parakrahun e djathtë dhe nga ana e ortopedit është larguar plumbi. Po ashtu meqë ka qenë edhe frakturë e njërës kockë e parakrahut është bërë edhe mobilizimi i dorës dhe pacienti është pranuar në gjendje stabile pas trajtimit të emergjencës dhe është pranuar në repartin e ortopedisë".
Mjeku bën të ditur se 15-vjeçarit i është hequr plumbi në krahun e djathtë dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
"Pacienti që është pranuar këtu është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu ka qenë edhe një rast që ka qenë motra e tij në vendin e ngjarjes. Shërbimi i emergjencës ka konstatuar që pacientja është e vdekur dhe kanë njoftuar policinë po ashtu edhe mjekësinë ligjore për ta tërhequr nga vendi i ngjarjes”.
Kryeministri Albin Kurti ka dënuar vrasjen e 21-vjeçares duke thënë se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa. Në një postim në Facebook Kurti ka thënë se nuk ka arsye të priten të dihen detajet e vrasjes. Kurti ka ngushëlluar familjen, të afërmit dhe miqtë e saj, duke thënë se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa. Për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, autori i vrasjes duhet të marrë dënim maksimal. Trupi i 21-vjeçares së vrarë nga Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. (A2 Televizion)