Një automjet i djegur është gjetur në fshatin Hasan të Fushë-Krujës pak pasi në banesën e tij në fshatin Larushk, u ekzekutua në breshëri kallashnikovi ish-efektivi i policisë së Burgjeve, Gentian Bejtja.
Policia bën me dije se brenda mjetit janë gjetur 4 armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentatin që i mori jetën 42-vjeçarit.
“Në vazhdim të veprimeve hetimore, në fshatin Hasan është gjetur një automjet tip "Land Rover", i bardhë, i djegur, brenda të cilit janë gjetur katër armë zjarri të djegura.”
Kujtojmë se Gentian Bejtja është një emër i njohur për policinë. Ai dyshohej se së bashku me të zhdukurin Enver Stafuka kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt, më 24 shkurt 2013.
Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm nga drejtësia më 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.
Ai po ashtu i kishte shpëtuar disa atentateve, më i fundit në korrik të vitit të shkuar, ku u qëllua mbi automjetin me të cilin ai udhëtonte. Si pasoja e këtij sulmi me armë mbeti i vrarë kunati i Bejtjas, Ramazan Sino, ndërsa u plagosën dy djemtë e tij të mitur. (A2 Televizion)