Gentian Bejtja, një nga emrat më të njohur për policinë në zonën e Fushë Krujës, është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Larushk. Ndaj Bejtjas është qëlluar në momentin kur ai ndodhej në oborrin e banesës.
Për ngjarjen ka reaguar me një njoftim të shkurtër policia e shtetit, duke bërë me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e prokurorisë që po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
“Më datë 15.03.2024, në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G. B.”, bën me dije policia.
Kjo nuk është hera e parë që banesa e Bejtjas sulmohet me armë zjarri. Vetëm pak muaj më parë ai mbeti i plagosur së bashku me dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa plumbat mbi makinën e sapo parkuar në oborr i morën jetën kunatit të tij, Ramazan Sino.
Bejtja ndodhej në makinë me ta, por pak minuta para se të mbërrinte në vilën e tij në Larushk, ai zbriti nga makina duke i shpëtuar atentatit.
Për krimin në fjalë u arrestua Valter Bami. Vëllai i Durim Bamit kishte mohuar lidhjen e tij me atentatin e bërë ndaj Gentian Bejtjas në korrik të një viti më parë. Për ngjarjen e rëndë gjykata e Tiranës i shuajti arrestin me burg duke e lënë në arrest shtëpie për shkak të skadimit të afateve hetimore. (A2 Televizion)