Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm do të shpallë më 1 korrik vendimin përfundimtar ndaj Arbër Paplekajt. Ish-efektivi i RENEA-s, i fajësuar me 22 vjet burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë parazgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 në Elbasan, i kërkoi Apelit ta shpallë të pafajshëm, ose në të kundërt ta dënojë për një akuzë më të lehtë se ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese”.
Përmes avokatit të tij, Mirash Martini, në seancën ku ishte edhe vetë i pranishëm, Paplekaj pretendoi se mesditën e 21 prillit të 4 viteve më parë, teksa ishte pjesë e një grupi vullnetar të ruajtjes së votës për Partinë Demokratike, nënjë situatë të tensionuar kishte shkrehur armën drejt Xhuvanit në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
Sipas avokatit, hetimi gjyqësor provoi se pranë viktimës Xhuvani ishin dy persona të armatosur dhe se Paplekaj ka reaguar në mënyrë instiktive në mbrojtje të jetës së tij dhe të shokëve. Nga ana tjetër, avokati tha se Paplekaj ishte fyer rëndë dhe shtyrë fizikisht nga viktima dhe personat që e shoqëronin, duke i krijuar situatë të rënduar mendore.
Për këtë shkak, nëse gjen faj në veprimet e klientit të tij, Apeli duhet ta fajësojë për “vrasje e kryer në gjendjen e tronditjes së fortë psikike”. Kundër këtij qëndrimi, ishte prokurori i Apelit Genti Xholi, i cili theksoi se i pandehuri ka qëlluar drejt një personi të paarmatosur.
“Nuk jemi në kushtet e veprimit në kushtet e vetëmbrojtjes. Nuk jemi as në kushtet e tronditjes psikike. Janë shtënë disa predha, jo vetëm një”, tha prokurori, sipas të cilit vendimi nuk duhet të ndryshonte. Treshja e Apelit dëgjoi edhe pretendimet për pafajësi të 8 ish-punonjësve të policisë, të fajësuar për “shpërdorim detyre” nga Shkalla e Parë, mes të cilëve edhe dy ish-zv.drejtorët e Policisë së Elbasanit, prezentë në vendin e ngjarjes, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. (A2 Televizion)