Mbretëresha e valleve shqiptare, nga motivet çame e deri tek majat më të larta të veriut shqiptar, nga skena e teatrit te çdo cep i Shqipërisë e kudo ku ka shqiptarë në botë, ajo artistja e madhe Lili Cingu largohet nga jeta.
Si kudo ku ka qenë e pranishme edhe këtë mëngjes, Nderi i Kombit është përcjellë më duartrokitje.
Në nderim të saj të shumta kanë qenë buqetat dhe fjalët e mira. Një gjerdan i artë i artit, njëlloj sikurse u cilësua edhe deri në Francë, Lili Cingu mbetet si një nga emrat më të njohur të kulturës sonë.
Miqtë e kolegët vlerësojnë kontributin e saj, misionin, dashurinë për punën dhe dëshirën për të na ofruar veç gëzime me lëvizjet e saj skenike.
Plot hijeshi dhe elegancë me gjithë titujt e shumtë nga Tirana e deri në skenat më të mëdha të botës, Lili Cingu do të mbetet një ikonë që i dedikoi gjithë jetën elementëve autentikë që sot janë vetë kultura jonë. (A2 Televizion)