Artistët e ardhur nga vende të Ballkanit kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Korçës, por dhe turistëve të huaj në paradën e tyre të kostumografisë.
Një grup turistësh gjermanë njohës të kostumografisë dhe valleve janë shprehur se ballkanasit kanë një shpirt më të ngrohtë se vendet e tjera, gjë të cilën e shprehin edhe me vallet e kostumet popullore të tyre.
"Jemi të gjithë nga Gjermania, e njohim mirë vallet sepse shumë prej nesh kërcejnë. Erdhëm rastësisht këtu dhe jemi shumë të kënaqur. Të gjithë kanë ato veçoritë e tyre, bukuritë e tyre, kjo atmosfera është magjike".
"Ne e duam Shqipërinë, ky vend me kaq bukuri, por vallet janë të thjeshta dhe kostumet popullore janë kaq të hijshme. Ne në Gjermani nuk jemi kaq të dhënë sa ju për vallet tradicionale, ju keni dashuri për to".
"Jam valltare nga Gjermania, do mësojmë vallen shqiptare duke qenë se gjetëm mundësinë. Është shumë qejf, vajzat korçare janë shuke të bukura me këto veshjet".
Edhe për kostumografin maqedonas, por e valltarin grek, veshjet tradicionale ballkanase ngjajnë shumë me njëra tjetrën, kjo edhe për faktin se historia e rajonit është e lidhur.
"Ballkani është afër, Mali i Zi është multietnik, është e natyrshme që kostumet të ngjajnë me njëra tjetrën, të kenë tipare të njëjta. Për mua është kënaqësi që vij për herën e dytë në Shqipëri, janë bashkëpunime që vlejnë", tha kostumografi maqedonas.
"Ballkani është i ngjashëm, Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Bullgaria kanë të ngjashme, historia lidhet dhe ne e tregojmë se bashku këtë në këtë festival. Unë jam nga Janina dhe flas shqip", tha kostumografi grek.
"Shpirti i Ballkanit" ka filluar zyrtarisht pasditen e të premtes për të vijuar për dy net me radhë me shfaqje e të gjitha vendeve ballkanike në Pazarin e Vjetër të Korçës. (A2 Televizion)