Shuhet aktori i madh i humorit Zef Deda

Nga Luela Myftari
24 Nëntor 2023, 10:58 | Kulturë

Shuhet aktori i madh i humorit Zef Deda

Një ndër komedianët më të mirë të Shqipërisë, Zef Deda është nga jeta. Artisti është shuar në moshën 73-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, por buzëqeshja e tij përtej çdo analize që i bënte shoqërisë shqiptare do të mbetet e paharruar.

Për thuajse 4 dekada iu përkushtua skenës teatrale, në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. E ndonëse u shkollua në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, lidhja me skenën, me televizionin dhe publikun e Shqipërisë ishte aq e fortë, sa asnjë nga ngjarjet që shënjuan jetën e këtij artisti, nuk do të ndikonte në këtë marrëdhënie.

Artisti që rrallë tregonte se gjatë diktaturës kishte vuajtur jo vetëm presionet, por edhe deri shtrimin në spitalet e tmerrshme të kohës së torturave, komediani që rrallë tregoi se shkoi në emigrim për një jetë më të mirë, u rikthente gjithnjë me buzëqeshje te publiku i tij.

I njohur për rolet e tij e kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për plastikën e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar që mund të imitonte magjinë e Charlie Chaplin, Zef Deda mbetet në memorien e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe, po aq edhe shpirtin artistike që përcolli te dy djemtë, Julin dhe Marion, të dy artistë të njohur në vend.

Dyzet vite në teatër dhe mbi më shumë se 20 vite të tjera në botën e spektaklit në Shqipërinë post komuniste do ta bëjnë portretin e Zef Dedës, atë të artistit të pa kompromis që na dhuroi shumë buzëqeshje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos