Në Samitin e Tiranës mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u diskutua sërish për Planin e Rritjes s ekonomive t rajonit, ku në fokus ishte shpjegimi i detyrave që duhen përmbushur për të përfituar fondet e Brukselit.
Platforma shihet si një metodë që do të përshpejtojë integrimin në BE të 6 shteteve, në dispozicion të së cilave vihet një fond prej 6 miliardë eurosh, deri në 2027.
Shqipëria shpreson të përfitojë 1 mld Euro nga ky fond dhe Kryeministri Rama u tregua optimist se deri në qershor do të jetë gati, teksa kishte edhe një mesazh për Kurtin dhe Vuçic që të lënë pas konfliktet e së shkuarës në mënyrë që të mos humbasin nga mundësitë financiare të perëndimit.
Kjo mendësi e bllokimit të fqinjit, sipas eurokomisionerit Varherly, ka infektuar edhe Greqinë, e cila po vështirëson integrimin e vendit tonë për shkak të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri.
Por zyrtari i BE nga Tirana dha shpresa që muajin e ardhshëm mund të ketë lajme të mira për hapjen e kapitujve të parë të negociatave mes Tiranës dhe Brukselit.
Optimist ishte edhe Kryeministri Rama, i cili nuk hezitoi të parashikonte edhe afate për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Samiti humbi shansin që të kishte pjesëmarrës 3 kryeministra shqiptarë së bashku, pasi Albin Kurti nuk arriti t’i bashkohet Edi Ramës dhe Talat Xhaferrit duke u mjaftuar vetëm me një video mesazh. (A2 Televizion)