Strategjia e opozitës për mosbindje civile që ka penguar ecurinë normale të Parlamentit që nga 5 tetori është përsëritur edhe në seancën e kësaj të hëne, e cila në rend të ditës duhet të kishte shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët.
Deputetët demokratë që në nisje të seancës mbajtën në duar pankarta, ku shkruhej: “Garda jashtë”, “Nuk duam Parlament monist” dhe “Kuvend burrash, jo horrash”.
Ligjvënësit shqiptarë duhej të diskutonin problemet e atyre që iu besuan me votë për t’i përfaqësuar në 2021, por seanca ka nisur me tension dhe kaos të krijuar nga zhurmuesit dhe bilbilat e deputetëve të Rithemelimit.
Në vazhdën e kësaj situate kaotike, deputetët e PD-së zyrtare të Lulzim Bashës janë parë që të braktisin sallën, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Rithemlimit, Flamur Noka i ka ndërprerë fjalën kolegut të tij socialist Vullnet Sinaj.
Ndërkohë, është përpjekur të ndërhyjë për të normalizuar situatën kryeparlamentarja Lindita Nikolla, duke thënë: “Njerëzit duan të dëgjojnë për hallet e shqetësimet e tyre, jo hallet tuaja. Jo zhurmën e bilbilave.”
Por duke qenë se thirrja e saj ra në vesh të shurdhët, Nikolla vendosi të mbyllë seancën brenda 7 minutave, duke bërë me dije se ligjvënësit do të njoftohen në vijim për seancën e radhës.
(A2 Televizion)