Argita Malltezi në krye të PD? Sula kundër: Do ishte rënie e kauzës së opozitës

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 19:43 | Politikë

Argita Malltezi në krye të PD? Sula kundër: Do ishte rënie e

Deputeti demokrat, Dash Sula është kundër që Partia Demokratike të drejtohet nga Argita Malltezi, e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha. I ftuar në A2 CNN, me gazetaren Bruna Çifligu, Sula tha se kjo do shënonte një rënie të kauzës opozitare. Ai është i mendimit që Sali Berisha do duhet të tërhiqet për të mirën e opozitës e nëse nuk e bën këtë, thotë se faji do të ishte vetëm i tiji, duke ia dorëzuar fitoren Edi Ramës.

“Edhe zonja Malltezi, kontributi i saj do ishte i mirëpritur, por jo kryetare e PD dhe e gjithë opozitës, do ishte një rënie e fortë e kauzës së opozitës, nëse do ishte një parti familjare e trashëguar, nuk besoj në këto gjëra, nuk është opozita e përgatitur apo kontributi i Malltezit të jetë e sprovuar, ne e bëmë provën me Lulzim Bashën dhe erdhi ku erdhi. Besoj dhe kam bindje që opozita ka një rrugë tjetër dhe mendoj që Berisha do e kapë këtë moment që ta lërë opozitën, nëse do e lë opozitën në këtë gjendje, atëherë faji është i Berishës. Sepse Berisha është më i forti brenda opozitës, nëse këto mbështetës nuk do i bashkojë me pjesën tjetër atëherë Berisha i bën shërbimin më të madh Edi Ramës”, tha Sula.

Ky reagim vjen pasi Argita Malltezi, e ftuar në Debat me Alba Alishani në A2 CNN tha se nuk e përjashtonte mundësinë për të ardhur në krye të Partisë Demokratike.

"Unë i qëndroj asaj që kam thënë se jam e gatshme të ndërmarrë çdo veprim që është i nevojshëm për të çuar përpara një kauzë në të cilën besoj dhe nuk kam asnjë lloj hezitimi për të ndërmarrë një veprim të tillë”, tha dje Malltezi në A2 CNN. 

Megjithatë, Malltezi theksoi se për këtë ajo nuk ka diskutuar konkretisht me Sali Berishën, por thekson se ai ia ka dhënë mbështetjen edhe publikisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos