Teliti në A2 CNN: Kemi informacione, Veliaj do të procedohet gjatë ditëve në vijim nga SPAK

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 17:21 | Politikë

Në një lidhje në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, foli për protestën e tetë të radhë të opozitës te Bashkia e Tiranës.

Teliti u shpreh se këto protesta kanë shtyrë SPAK-un që të bëjë hapa të tjera në lidhje me hetimin për inceneratorin e Tiranës. Teliti u shpreh se në ditët në vijim pritet që Veliaj të procedohet penalisht.

“Veliaj vazhdon të jetë ende kryetar dhe këshilli bashkiak vazhdon të jetë në detyrë ndonëse nuk po kryen funksionet e njëjta, është e vërtetë që Veliaj vazhdon të refuzojë kërkesat kushtetuese, të paktën për të ndihmuar se ku kanë shkuar miliona euro, si është e mundur që drejtorët kishin ngritur biznese edhe brenda bashkisë. Ai thotë se nuk është fajtor, por është përgjegjësi për ngritjen e këtij sistemi. Bashkia nuk ka transparencë. Ne kërkojmë përgjigje nga Veliaj për shumë pyetje. Ne do të protestojmë dhe besojmë se do të gjejmë mbështetje më të gjerë. Këto protesta kanë shtyrë edh SPAK të bëjë hapa të tjera. Ne kemi informacione që Erion Veliaj do të procedohet gjatë ditëve në vijim”, tha Teliti në A2 CNN.

Sa i përket protestës së fundit të kësaj të marte, Teliti u shpreh se policia ndaloi qytetarët që të merrnin shërbim edhe pse ishin në ditë pune.

“Policët në disa gardhe ndalonin qytetarët të merrnin shërbimet në ditë normale pune, po ashtu u penguan edhe këshilltarët të ushtrojnë detyrën në ambientet e Këshillit Bashkiak”, tha Teliti.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi