Luan Baçi ka mbrojtur në një intervistë për “Ditari” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, amendamentin e propozuar nga Partia Demokratike për ti mundësuar të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 Majit.
“Kemi propozuar që të jetë e mundur edhe vota e shqiptarëve të diasporës që nuk kanë asnjë mjet shqiptar të identifikimit. Një shqiptar që ka një dokument, gjerman, italian, grek, anglez, apo në çdo vend të BE apo në SHBA, përderisa me atë dokument ai hyn në kufi dhe bën çdo lloj veprimi në territorin shqiptar, atëherë pse ti mohojmë të drejtën e votimit. Një pasaportë gjermane a nuk është e sigurt si pasaporta shqiptare. Në këtë drejtim nuk shohim asnjë pengesë veç dashakeqësisë së Partisë Socialiste”, shpjegoi Baçi propozimin e PD.
Selia blu kërkon lejimin e regjistrimit edhe të emigrantëve që nuk kanë një dokument identifikimi të lëshuar nga shteti shqiptar, por mund ta bëjnë këtë përmes letërnjoftimit të vendit ku jetojnë dhe punojnë.
Po ashtu PD kërkon edhe një VKM ose vendim nga KQZ që do t’i hapte rrugën votimit të emigrantëve shqiptarë me mjete identifikimi të skaduara. Sipas Baçit diçka e tillë ka ndodhur në disa palë zgjedhje më parë dhe nuk përbën ndonjë problematikë, përveç vullnetit të munguar nga mazhoranca, që sipas tij kërkon ta pengojë procesin.
“Së pari më lejoni të them se interesi i PD është ai që ka qenë që në krye të herës, të bëjë të mundur votën e të gjithë shqiptareve për të qenë të lirë për të votuar dhe për të shprehur vullnetin e tyre, vullnet që të mos tjetërsohet. PD pranoi një kod zgjedhor jo të duhurin, ndryshimet që u bënë, vetëm për të mundësuar votën e diasporës. PS bënte çmos për ta penguar një gjë të tillë dhe këtë po e tregon në vazhdimësi. Tashmë ka filluar të bëjë pengesa nga më të ndryshme, artificiale për të penguar votën e diasporës. Siç është moslejimi i votës së atyre shqiptarëve të Diasporës që kanë karta dhe pasaporta të skaduara. PD ngul këmbë që kjo të zgjidhet shumë më thjeshtë me anë të një VKM-je ose udhëzimi të KQZ, pasi kjo është bërë dhe në zgjedhje të tjera, disa herë. Është dhënë e drejtë për të votuar duke u shtyrë afati i vlefshmërisë”, sqaroi ligjvënësi opozitar për A2 CNN. (A2 Televizion)