Pak orë pasi me vendimin e Gjykatës së Apelit fitoi pas 3 vitesh betejën për vulën e Partisë Demokratike me Lulzim Bashën, Sali Berisha ka vendosur të intensifikojë betejën me kryeministrin Edi Rama, edhe pse në kushtet e arrestit të shtëpisë.
Tashmë si kryetar legjitim i PD-së, Berisha i ka dërguar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla një kërkesë për interpelancë urgjente me shefin e qeverisë, për tenderat e përfituar sipas tij nga familjarët e Ramës.
Në kërkesën e tij, Berisha përmend si argument faktin e përfshirjes së vajzës së bashkëshortes së Ramës, Rea Xhillari në procedura tenderuese, duke e akuzuar se ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë.
Berisha përmend edhe tenderat e AKSHI-t, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes. Sipas tij janë realizuar 17 tendera me vlerë mbi 35 milionë euro, të cilat janë përfituar nga tre klientë preferencialë të qeverisë Rama, ku përfshihet edhe ish-ministri nën hetim Ilir Beqaj.
"Në kushtet kur ekzistojnë fakte dhe prova të pakontestueshme për përfitimin e miliona eurove, para publike, nëpërmjet subjekteve tregtare të lidhura drejtpërdrejt me shtetasit Rea Xhillari dhe Armand Frangu, përkatësisht thjeshtra dhe baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, si dhe të dhënat shqetësuese lidhur me tenderat sekrete, përfitues të të cilëve rezultojnë subjekte dhe individë të lidhur me qeverinë Rama, me qëllim dhënien e informacione dhe shpjegimeve lidhur me sa më lart, në cilësinë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores se Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama. Në mbështetje te nenit 96, pika 5, të Rregullores se Kuvendit, interpelanca do të paraqitet nga deputeti Sali Berisha." (A2 Televizion)