Gjykata e Posaçme e Apelit firmosi të martën refuzimin e radhës ndaj kërkesës së ish-kryeministrit, Sali Berisha, për lirim nga izolimi shtëpiak.
Gjyqtarja Ilirjana Olldashi la në fuqi vendimin e marrë nga Shkalla e Parë më 21 maj në një seancë për informacion 2 mujor mbi hetimet e SPAK, duke lënë kështu të pandryshuar edhe masën “arrest në shtëpi”, në të cilën, ish-kryeministri nën hetim për “korrupsion”, qëndron prej 30 dhjetorit 2023.
E njëjta masë sigurie mbeti e pa ndryshuar edhe për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi. Duke përmendur kryerjen nga SPAK një akt-ekspertim kontabël dhe një daktiloskopik, avokati i ish-kryeministrit, Genci Gjokutaj, tha se prokuroria ka zhvendosur fokusin e hetimit në probleme teknike larg akuzës ndaj klientit të tij.
“Zoti Berisha është duke qëndruar në paraburgim, ndërkohë që po kryhen veprime që nuk kanë lidhje me veprën penale të korrupsionit. Një akt-ekspertimi kontabël nuk bëhet pas 4 vjet, 3 vjet e gjysmë hetimi. Po kryejnë një akt ekspertim daktiloskopik të një dokumenti të një personi që ka vdekur para 10-15 vjetësh. Unë nuk e kuptoj se ku duan të dalin. Ajo nuk ka lidhje, bashkëpronarët nuk kanë asnjë lloj konflikti”.
Në lidhje me rrezikun ose jo të humbjes së mandatit të Berishës për shkak të mungesës në Parlament, avokati iu referua Kushtetutës.
“Mandatin ia ka dhënë populli. Z. Berisha nuk mungon në kuvend për shkak të dëshirës së tij, siç e kërkon Kushtetuta, kur mungon pa arsye. Pra, mungesa e z. Berisha nuk është për faj të tij. Mandati i tij mbetet i pa cenuar ligjërisht”.
Pas disa dështimesh në të tre shkallët e gjyqësorit për lirim nga burgosja brenda mureve të shtëpisë, së fundmi Berisha ka ritrokitur në Gjykatën e Lartë. Në dy rekurse të veçanta të regjistruara më 14 qershor në këtë gjykatë Berisha kërkon respektivisht shfuqizim dhe zëvendësim të masës. (A2 Televizion)