Kur kanë kaluar 4 ditë nga hapja e portalit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e emigrantëve për të votuar në 11 maj, Partia Demokratike shprehet e kënaqur me pjesëmarrjen dhe është optimiste për një rotacion politik nga vota e shqiptarëve jashtë vendit.
Koordinatorja e selisë blu për diasporën, Jozefina Topalli, sërish është e mendimit se Partia Socialiste është disa hapa para opozitës sa i përket fushatës jashtë vendit. “Është fakt që PD ka filluar më vonë se PS. Ne kemi qenë parti e arrestuar. Në këto kushte po bëhet maksimumi. Është një garë kundër kohës, pasi pala tjetër ka dy vite që punon”, thotë ajo për A2 CNN.
Sipas Topallit një faktor tjetër kundër opozitës është edhe mungesa e financave. “E vetmja gjë që na mundim gjithmonë është paraja dhe luksi, këtu ne nuk i kapim dot. Por ne mund t’i kapim nëpërmjet besimit, pasi vota është çështje besimi dhe unë besoj fort te shqiptarët e diasporës”.
Sa i përket listave për deputetë dhe mundësisë që eksponentë nga diaspora të jenë përfaqësues të Partisë Demokratike, Topalli pohoi se një gjë e tillë duhet të ndodhë. “Nuk mund ta mendoj që të mos ketë përfaqësim nga diaspora, është çështje e proporcionit të votave. Ndoshta është hera e parë dhe nuk do ketë numër të lartë, por në numër simbolik do jetë në listat e PD”, thotë Topalli.
Zyrtarja e Partisë Demokratike pati një thirrje për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që deri në 4 mars të regjistrohen dhe të mos humbasin të drejtën e votës. (A2 Televizion)