Gati edhe për drejtimin e PD, deklarata e Argita Malltezit nuk pritet mirë nga Rithemelimi

Nga Anesti Barjamemaj
22 Maj 2024, 16:22 | Politikë

“Unë jam fare e gatshme të kontribuoj në çdo lloj pozicioni që e mendoj që kontributi im është i nevojshëm. Nuk kam asgjë konkrete për momentin, përveç planit që mbështetja ime është e pakufizuar dhe veprimi im nuk mund të kufizohet me barriera subjektive. Unë nuk trashëgoj karrigen e babait, por ajo që do të bëj nëse është e nevojshme, është që do të garoj si çdo njeri për çdo lloj pozicioni.”

Kjo deklaratë e Argita Malltezit në studion e A2 CNN, që shpreh gatishmërinë për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, pas babait të saj, Sali Berishës, nuk duket të jetë pritur mirë nga Rithemelimi. I cilësuar gjerësisht si një prej pretendentëve për fronin, Belind Këlliçi i rikujton të bijës së Berishës qëndrimet e mëhershme: “Ka thënë se është kundër trashëgimisë dhe askujt nuk i takon të trashëgojë pozicionin e dikujt tjetër, jo në PD, por në asnjë forcë tjetër”.

Trashëgimi i poltronës së kryetarit është një gabim që demokratët e bënë me Lulzim Bashën, nënvizon Këlliçi: “E bëmë njëherë një gabim, me dikë që u vendos aty në formën e një trashëgimtari dhe iu fal drejtimi i Partisë Demokratike. Nuk e ka më luksin Partia Demokratike të trashëgojë askush pozicionin e drejtuesit të mëparshëm.”

Edhe deputeti Dashnor Sula, i cili ka shprehur hapur kritikat ndaj lidershipit të Berishës, e shikon si goditje për opozitarizmin kalimin e partisë nën drejtimin e Argita Malltezit: “Edhe zonja Malltezi, kontributi i saj do ishte i mirëpritur, por jo kryetare e PD dhe e gjithë opozitës, do ishte një rënie e fortë e kauzës së opozitës, nëse do ishte një parti familjare e trashëguar, nuk besoj në këto gjëra, nuk është opozita e përgatitur apo kontributi i Malltezit të jetë i sprovuar, ne e bëmë provën me Lulzim Bashën dhe erdhi ku erdhi”.

Argita Malltezi u rishfaq në skenën publike me një fjalim në Kuvendin e Partisë Demokratike dhjetorin e kaluar. Ajo tërhoqi vëmendjen me pyetjen “Ku gabuam?”, teksa ndërhyrja e saj u konsiderua si hapi i parë që shënonte zbritjen e së bijës së Sali Berishës në politikën aktive.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos