25-vjetori i miratimit të Kushtetutës e gjen politikën shqiptare po aq të polarizuar sa në vitin 1998, kur edhe u hartua. Aktiviteti i organizuar në kuadër të këtij përvjetori nuk arriti të bënte bashkë politikën ku opozita e bojkotoi njësoj si referendumin e 25 viteve më parë.
Demokratët kishin njoftuar refuzimin e pjesëmarrjes si spektatorë, duke kërkuar që të kishin të drejtën të flisnin për Kushtetutën.
Aktiviteti u zhvillua në sallën e Kuvendit, ku pas një muaji u arrit të flitej në foltoren e saj pa tym e barrikadë karrigesh. Lindita Nikollës, e cila hapi ceremoninë, duket se nuk i kishte dalë ende mëria nga sjellja e opozitës në sallën e parlamentit.
“Asnjë nuk duhet të lejojë, dhe nuk do të lejojë që të zgjedhurit të imponojnë vullnetin e tyre mbi vullnetin e popullit dhe të zgjedhurve. Sot nuk ka asnjë dyshim që miti i të paprekshmëve po thyhet”, tha Nikolla.
Presidenti Begaj i dërgoi një mesazh klasës pulitke për respektim të normave kushtetuese, si kritikë për të dyja kampet, në respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Të gjithë kemi përgjegjësinë dhe detyrën të jemi garantë të Kushtetutës dhe normave themelore që ajo pasqyron. Respektimi i saj ndihmon drejtpërdrejtë, si në rritjen e cilësisë ligjvënëse, ashtu dhe të kontrollit kushtetues”, tha Begaj.
Axhenda kishte parashikuar që në sallë të ishte edhe kryeministri Edi Rama, por si shumë çështje parlamentare, edhe këtë e delegoi. Në emër të qeverisë foli Ulsi Manja. Ministri i Drejtësisë hoqi një paralele të situatës së tanishme me 1998 duke u shprehur se opozita po bën të njëjtën sjellje bllokuese si 25 vite më parë.
“E për ironi të fatit, sot në Kuvend, kemi një situatë që ngjan me atë të vitit tashmë të largët 1998 në kohën e debatit kushtetues”, u shpreh Manja.
Gardianët e zbatimit të ligjit themeltar janë gjyqtarët Kushtetues. Kryetarja Holta Zaçaj u shpreh se politika po ushtron presion ndaj tyre me akuzat publike.
“Kritikat ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë një indikator i lirisë së shprehjes, për të cilën ne të gjithë kemi luftuar, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre. Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur”, u shpreh Holta Zaçaj.
Por nga vitit 1998 e deri më sot, Kushtetuta ka pësuar një sërë ndryshimesh, ku për kryetarin e Gjykatës së Lartë, ato të vitit 2008 pas marrëveshjes Berisha-Rama ia tronditën themelet për interesat e tyre politike.
“Kushtetuta nuk po rezultonte tërësisht funksionale për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë në sistemin e drejtësisë, por as e qëndrueshme që t’i mbijetonte super mazhorancave politike, të cilat veçanërisht, në pranverën e vitit 2008, të nxitura nga interesa politike të momentit, i’a tronditën themelet, duke cenuar harmoninë e të gjithë dispozitave kushtetuese”, tha Sadushi.
Në këtë aktivitet ishin ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, por në sallë ata numëroheshin me gishtat e dorës, edhe mes radhëve të mazhorancës. Pushimet e nëntorit duket se kishin marrë prioritet. (A2 Televizion)