Në mbledhjen e parë me drejtuesit e qarqeve pas lirimit nga arresti shtëpiak, Sali Berisha u shpreh i kënaqur me punën e tyre të deritanishme. Lideri demokrat kërkoi të ecet me ritëm të shtuar, duke takuar sa më shumë qytetarë.
“Një punë intensive kërkohet nga ne, duke mos harruar kurrë se ngroftësinë e takimit dhe bisedës dhe të baltës në këpucë duke trokitur tek dera e tjetrit, nuk e zëvendëson kurrë akulli i ekranit”, tha Berisha.
Fokus sipas kryedemokratit duhet të ketë edhe për diasporën, ku kërkoi angazhim maksimal, por sipas tij një përqendrim duhet të ketë edhe në shpalosjen e programit.
“Votues shqiptarë janë më shumë jashtë se sa brenda, atëherë është një mision i vërtetë, angazhimi ynë për të krijuar çdo lloj lehtësimi dhe mundësie, që këta mbi 1 milionë e gjysëm votues që ndodhen jashtë, qytetarë shqiptarë me të drejtë vote që ndodhen jashtë, të mund të shprehin vullnetin e tyre politik, për kandidatët, kandidatet, forcat politike që ata u besojnë”, shtoi ai.
Pas mbledhjet me drejtuesit politikë, Berisha u ndal edhe për median ku konfirmoi se me diasporën shumë shpejt do të takohet personalisht, por nuk jep një datë për nisjen e turit ndërkombëtar.
“Po, do të shkoj edhe në diasporë në një seri takimesh. Por t’ju them atë që duhet, se duhet një punë shumë intensive këtu brenda”, tha ish-kryeministri.
Sa i përket takimeve brenda vendit premtoi se do të nisin pa pritur vitin e ri, ndërkohë një koment pati edhe për debatin në distancë mes Gazment Bardhit dhe Edi Ramës.
“Ka tmerr sepse, është ringjall bota e krimit në Enchrochat, Matrix”. (A2 Televizion)