Mitsotakis nuk e pret Ramën në Athinë, debate për takimin me shqiptarët, Ndoka: Protagonizëm bosh

Nga A2 CNN
11 Maj 2024, 13:04 | Politikë

Vizita e Ramës në Athinë ka shkaktuar debat edhe në politikën shqiptare, me mazhorancën që e konsideron të rëndësishëm takimin me Diasporën dhe opozitën që e sheh këtë si provokim dhe ndërhyrje në fushatën elektorale në Greqi. Në studion e Ditarit me Erion Dushin në A2 CNN, kreu i PDK-së Nard Ndoka debatoi me deputetin socialist Lavdrim Krashi.

Sipas Ndokës vizita e Ramës në Athinë është protagonizëm bosh, duke aktivizuar të gjitha bashkitë me orientime për pjesëmarrje të njerëzve në takim.

“Rama prishi marrëdhëniet historike me Greqinë. Rama në Athinë po shkon për protagonizëm bosh. Ka aktivizuar të gjitha bashkitë. U ka dhënë orientim të qartë të gjitha strukturave të partisë me halle e teze në Athinë me autobusë e makina po ia shohin sherin edhe ato në Greqi. Greqia ka pasur fshesë herë pas here, e ka treguar shpeshherë arrogancën. Por ishte një takim i panevojshëm për faktin që janë në fushatë elektorale. Janë dy kandidatë shqiptarë atje për fatin e mirë, ndërsa Rama edhe një kandidat minoritar që pati e futi në thes dhe e mban atje”.

Për Ndokën çështja Beleri është njolla e turpit e Ramës, ndërsa Mitsotakis e ofendoi duke mos e pritur në Athinë.

“Athina nuk merret me të, ai e fyeu dhe nuk e pret homologu i tij. ky është kulmi i ofendimit që i bëjnë dhe ky e kapërdin. Mitsotakis e ka pritur edhe në vilën e tij kur ka dashur ta respektojë”.

Por për Krashin takimi është me Diasporën dhe nuk ka aspak lidhje me çështjen Beleri, apo protokollin e kryeministrit grek.

“Nuk ka lidhje çështja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës. Takimet e diasporës takimi në Greqi i mirëpritur, i vonuar, se është detyra jonë për të krijuar një raport të ri me diasporën. Mitsotakis ka protokollin e tij. Nuk ka asnjë të vërtetë që ai është larguar për të injoruar kryeministrin Rama”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos