Nesër seanca e Berishës, kreu i FRPD zbulon detaje nga protesta e PD para SPAK

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2025, 22:28 | Politikë

Kreu i FRPD, Besart Xhaferri zbuloi në emisionin “Off the Record” në A2 CNN detaje nga organizimi i demokratëve për protestën e thirrur ditën e nesërme para SPAK, kur kreu i tyre, Sali Berisha të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.

Xhaferri nuk hezitoi të krahasonte tubimet e PD para SPAK me atë të mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërkohë që këtij të fundit i verifikohej masa e sigurisë nga GJKKO.

Ai theksoi se ndryshe nga punonjësit e bashkisë dhe simpatizantët e PS që sipas tij intimiduan gjyqtarë e prokurorë, PD ka njoftuar policinë për protestën dhe aty do të ketë një kordon për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë.

“E para ne mblidhemi tek ai shesh me një kordon policie, e lajmërojmë, ka një kordon sigurie. Duam të përçojmë një mesazh politik. E përço n vetë zoti Berisha mesazhin politik kur prononcohet. Nuk po bëjmë as grusht shteti, as intimidim ndaj gjyqtarëve, asnjë gjë tjetër, sepse vetë Ministria e Brendshme do marri masat e duhura. Sepse çështja e zotit Berisha është një çështje pa bazë. Por ne nuk e rrezikojmë as jetën e prokurorëve të SPAK, as jetën e gjyqtarëve të GJKKO, as rendin dhe sigurinë aty, sepse ka një garanci nga vetë policia e shtetit”, tha Besart Xhaferri në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

Ai pati edhe një koment mbi deklaratën e fortë të Sali Berishës nga konferenca e së premtes për mediat, ku i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndalin protestat kundër SPAK-ut.

“Ajo deklaratë që zoti Berisha i ka dhënë kryeministrit të Shqipërisë është që me të vërtetë aty prokurorët e gjyqtarët u lanë vetëm. Sepse në momentin kur vetë qeveria proteston ndaj drejtësisë dhe minon, e bojkoton mbrojtjen e atij institucioni kushtetues duket ashiqare që me të vërtet po e sulmojnë.  Protesta që u pa javën e kaluar ku ishin të gjithë rrogëtarë, të gjithë njerëz me përfitime, që ishin të detyruar për jetën e tyre, për bukën e gojës për të dalë në atë protestë, tregon që ishte komplet e stisur. Ka qenë një presion vërtetë i madh nga ekzekutivi përkundrejt drejtësisë”, deklaroi Besart Xhaferri në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos