“Nga dekretet e Trump përfiton më shumë Shqipëria”, Berisha: Merr fund krijimi i drejtësive monstra

Nga A2 CNN
23 Janar 2025, 19:55 | Politikë

“Nga dekretet e Trump përfiton më shumë

Nga dekretet e presidentit Donald Trump përfiton më shumë Shqipëria. Kështu është shprehur kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin me të deleguarit në qarkun e Tiranës. Sipas tij me këto dekrete merr fund edhe doktrina e Sorosit që siç thotë Berisha, kopshti eksperimental i saj ishte Shqipëria.

“Në dy ditë, Trump çmontoi në mënyrë themelore të gjithë doktrinën, praktikën e agresionit të frymëzuar nga ekstremi i majtë marksist-leninist dhe post-marksist sorosian ndaj familjes. Presidenti Donald Trump bëri të qartë se cila është familja për SHBA, ajo që ka qenë nga Adami dhe Eva dhe gjer para këtij agresioni që u ndërmor vitet e fundit ndaj familjes me numerotimin e prindërve me numër 1 dhe 2 dhe me idenë e krijimit të fermave të femrat për qëllimet më të mbrapshta njerëzore. Në këto dekrete të një rëndësie historike merr fund agresioni post-marksist ndaj gjinisë. Karl Marksi kishte parashikuar Njeriun e Ri, njeriun me tru të shpëlarë nga ideologjia marksiste, por nuk kishte parashikuar ndryshimin e gjinisë. Presidenti dekretoi se sot e tutje në SHBA, gjinitë do jenë vetëm ato që ka falur Zoti. Burrë dhe grua apo mashkull dhe femër. Këto qëndrime janë të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për SHBA. Por u garantoj se pas SHBA, kopshti eksperimental i doktrinës kriminale të Xhorxh Sorosit më shumë se çdo vend tjetër ishte Shqipëria. Pra, për ne këto dekrete marrin një rëndësi shumë të madhe sepse nuk do mund të përdoren më kurrë as fuqia dhe as paratë e taksapaguesve amerikanë për të promovuar agjenda të përçudnuara si këto që ai i ndaloi në SHBA. Pra, në rast se ne kemi parasysh se u bëmë kopshti eksperimental i sorosizmit, nuk ka një vend të dytë që përfiton më shumë nga këto dekrete se sa Shqipëria”.

Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se me ardhjen e Trump merr fund krijimi i drejtësive monstra dhe agresioni ndaj opozitave konservatore.

"Shqipëria, kopshti eksperimental i Xhorxh Sorosit dhe jo i Xhorxh Oruellit, u përball me pasoja të tjera si në asnjë vend tjetër të agresionit ndaj opozitës konservatore në Shqipëri. Me dekretet e djeshme dhe fillimit të detyrës të sekretarit Rubio dhe dekretet e presidentit Trump, merr fund njëherë e përgjithmonë përdorimi i parave të taksapaguesve amerikanë kundër pluralizmit politik në kuptimin kundër opozitave konservatore siç ndodhi në Shqipëri. Kjo praktikë e paprecedent më parë, të jemi realistë, njohu kulmi gjatë kësaj administrate. U ndërmorën akte direkt në shkelje të plotë të ligjit amerikan kundër lidershipit të kësaj partie apo ish-lidershipit të saj, vetëm e vetëm për t’i caktuar asaj kryetarin që donte Edi Rama. Nuk ishte vetëm kjo. Diplomacia sorosiane e Entoni Blinken u angazhua në mënyrë të turpshme për izolimin e llojit stalinist të një force politike që kishte përmbysur diktaturën komuniste në Shqipëri, që kishte dhënë kontributin më të madh në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA, integrimin në NATO dhe Këshillin e Europës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos