“Nuk ka prapamendim”, Rama shpërndan 437 tituj pronësie në Himarë: Do bëj të pamundurën që…

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 11:04 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ishte të premten në Himarë, ku nisi shpërndarja e 437 titujve të pronësisë. Kreu i qeverisë deklaroi se me AMTP-të në këtë zonë është bërë lojë e ndyrë kriminale.

Sipas Ramës, probleme me pronat në Himarë ka pasur në pushtetin e dikurshëm. Ai tha se si kryeministër do të bëjë të pamundurën që banorët në Himarë, por edhe në çdo zonë të Shqipërisë, të gëzojnë pronën e tyre.

“Do bëj të pamundurën, njësoj si për Tropojën, Himarën, Thethin, Malësinë e Madhe, Kukësin dhe Sarandën për çështjen e pronësisë. Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit, në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501. Ka propagandë sikur ne duam të marrim prona të banorëve për t’ua dhënë të ashtuquajturve oligarkë. Nuk ka asnjë qëllim apo prapamendim për Himarën. Nuk ka asnjë rast që toka t’i jetë marrë një pronari nga shteti”, theksoi Rama.

“Me AMTP-të është bërë lojë e ndyrë kriminale, ku janë shfaqur si pronarë individë të lidhur me pushtetin e atëhershëm, që i kanë vënë trashëgimtarët përpara zgjedhjes që të pranojnë të shesin pronën e tyre. Shitja kishte mbi kokë kërcënimin që nëse nuk e shet ti, nuk ke për ta gëzuar pronën. Kjo ka qenë historia më parë. Sot, pronat shiten nga pronarët apo trashëgimtarët, shpesh 3-4 herë më shumë se në Korfuz”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos