“Plarent Ndreca kryepatronazhist”, Vokshi: Kemi ngritur grupe pune në seli, do të bëjmë transparencë

Nga Anesti Barjamemaj
12 Maj 2024, 14:49 | Politikë

“Komisioni Hetimor është e vërtetë, është në pikën zero”. Kryetarja e Komisionit Hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, check up dhe sterilizimin, Albana Vokshi, pranon se ende nuk është bërë asnjë punë për të hetuar këto dy kontrata, por shton se asnjë prej opozitarëve nuk është fajtor. Gishtin e akuzës e drejton nga maxhoranca, ku sipas saj qasja e shumicës ka qenë gjithmonë për të mos pasur hetim.

“Një dëshmi e qasjes së maxhorancës për të dështuar hetimin parlamentar është që një komisionin që unë drejtoj, kemi nënkryetarin e komisionit në konflikt të hapur interesi, sepse është paguar nga sterilizimi. Dhe zonjën Milva Ekonomi sepse ka drejtuar grupet e punës. Mendoni ju se do provokojnë veten, në asnjë rast”, tha Vokshi.

Kur vjen puna tek konflikti i interesit, socialistët bëjnë fajtor demokratët. Pak ditë më parë nga mikrofoni i A2 CNN Plarent Ndreca deklaroi se Vokshi merr informacionet nga vëllai i saj që është punonjës i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“I merr informacionet nga vëllai”, tha Ndreca.

Në një intervistë për A2 CNN, kësaj akuze deputetja demokrate i përgjigjet në këtë mënyrë

“Plarent Ndreca po bën kryepatronazhistin, e filloi me shkollën që unë kam mbaruar. Tani ka filluar me gjithë anëtarët e familjes këtë punë sistemi i patronazhimit. Ka filluar me gjithë anëtarët e familjes, ushtron presion dhe intimidon. Është qasja e tyre me të gjithë ata që nuk ua mbyll dot gojën”, u përgjigj Vokshi.

Mes akuzave dhe pretendimeve të të dyja palëve, komisioni hetimor ka dështuar të mblidhet 6 herë. Nga maxhoranca ka pasur gjithmonë një dorë të shtrirë, që data, ora dhe rendi i ditës të përcaktohen bashkarisht, por sipas Vokshit duhet respektuar vetëm ligji për t’u çliruar nga ky ngërç.

“Ore kjo nuk bëhet duhet i marrë leje dikujt, o zbatohet ligji dhe rregulloja, o nuk zbatohet. Qartazi dhe kur kemi bërëmbledhje kanë ikur”, tha ajo.

Hetimi parlamentar nuk duket se do e shoh dritën e diellit, pavarësisht se maxhoranca është zotuar se do e zbulojnë të vërtetën edhe të vetëm.

“Shaka është kjo, si do hetojnë ai që ka qenë avokat mbrojtës i sterlizimit do hetojë sterilizimin”, shtoi Vokshi.

Opozita nga ana e saj, që është dhe nismëtarja e këtij hetimi parlamentar ka ngritur tashmë një grup pune dhe të vërtetat që nuk i kanë thënë dot në Kuvend do t’i publikojnë nga selia blu.

"Nëse nuk do vijnë në komision, nëse do kenë të njëjtën qasje. Ne kemi ngritur pune në seli, do bëjmë transparence çdo ditë krimet që kanë ndodhur me dy koncensionet në shëndetësi”, përfundoi deputetja.

Vokshi premton se të gjitha provat e reja që do të zbulojnë do t’i depozitojnë në SPAK dhe do të kërkojnë rihetim të koncesioneve.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi