Kryeministri Edi Rama i ktheu një përgjigje publike drejtuesit të programit “Report” në Rai3, Sigfrido Ranuccit, pasi gazetari italian u shfaq në mediat shqiptare duke mbrojtur reportazhin e pak ditëve më parë. Një tjetër gabim ky, sipas Ramës, që e detyron të replikojë.
“Unë kam për detyrë të ngulmoj për të nderuar të vërtetën e nëpërkëmbur nga ai program brutal dhe të mos dorëzohem në mbrojtjen e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe rolin e saj në marrëveshjen dypalëshe me Italinë. Edhe nëse programi juaj ka çdo të drejtë të kritikojë duke bombarduar qeverinë e vendit të tij, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë duke njollosur vendin tim dhe fjalën “shqiptar” me shpifje”, shprehet Rama.
I pyetur nga mediat në Shqipëri mbi telefonatën e Ramës me drejtuesit e RAI3, Ranucci është shprehur se të tilla ndërhyrje ka pasur edhe nga Kremlini. Një krahasim që për Kryeministrin shqiptar është i papranueshëm: “Të paktën në respekt të viktimave të Kremlinit, nuk do të krahasoja kaq lehtë poloniumin e përdorur për të censuruar me vdekje opozitarët e pakëndshëm me një ndërhyrje telefonike të ardhur pas një censure”.
Në replikën përmes mediave sociale, shefi i Qeverisë mohon edhe pretendimet e reportazhit ndaj vëllait të tij, Olsi Ramës: “Më vjen keq kryesisht për shtrembërimin e asaj që tregoni si akte gjyqësore në lidhje me vëllain tim, duke qenë se akte të tilla jo vetëm që nuk ekzistojnë, por pikërisht kjo është tashmë objekt i një padije gjyqësore për shpifje këtu në Shqipëri, një rrethanë që në një transmetim të thelluar investigativ siç pretendoni ta arrini, të paktën duhet përmendur për të shmangur riprodhimin pa kritikë të stereotipit të një epoke tjetër të shqiptarit të interesuar vetëm për drogën dhe të një Shqipërie të korruptuar nga koka e këmbët”.
Rama pranon sfidën për t’u ballafaqur me drejtuesin e programit “Report”, por shpjegon përse kushtëzon që kjo të ndodhë live.
“Unë deklarohem i gatshëm për të marrë pjesë në episodin e radhës të "Report" me kushtin e vetëm që ndërhyrja ime të bëhet live, pasi nuk e fsheh frikën se pasi ta regjistroj me mirëbesim mund të përfundojë në mullinjtë e censurës tuaj, duke pasur parasysh këto precedentë të rëndësishëm në të cilat ju keni censuruar, më pas ofendoni pa baza dhe në fund akuzoni për riprodhim të modelit të Kremlinit, kur, nëse ka ndonjë gjë, do të kishte arsye për të dyshuar të kundërtën”, tha Rama.
Në pritje të telefonatës nga përtej Adriatikut, Rama nënvizon shpresën që i gjithë debati të mbyllet me përqafim dashamirës virtual, mes këndvështrimeve të ndryshme mbi lirinë e informacionit. (A2 Televizion)