Endri Shabani nga Nisma Thurje bëri në “Of the Record” me Andrea Dangllin një deduksion të situatës së krijuar pas vizitës së agjentëve të BKH në banesën e kryebashkiakut Veliaj, e cila sipas tij është vetëm maja e ajsbergut.
Sipas Shabanit, SPAK ka avancuar në një kallëzim, nga shumë që ka Veliaj, dhe i ka mbushur mendjen gjykatës për të siguruar mandatin, pasi në të kundërt, sekuestrimi i celularit të Ajola Xoxës dhe kontrolli i banesës së Vellait të kryebashkiakut do të ishte shkelje e të drejtave.
“Kemi bërë dy kallëzime. Për pastrimin e parave të mafias italiane Ndraghetas dhe për inceneratorët. Që t’i shkosh dikujt në banesë është shkelje të të drejtave. Kjo bëhet në mënyrë të kontrolluar nga gjykata. Prokurori ka treguar prova që gjyqtari të lejojë kontroll.
Këtu jo vetëm që kemi të bëjmë me një hetim të detajuar. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse ata nuk do të kishin prova të arsyeshme. Këtu po fshihen gjëra. Është sekret hetimor. Këto sinjale që po shohim janë maja e ajsbergut. Për mua një dosje ka avancuar. Gjyqtari ka parë mjaftueshëm prova që ngre dyshime se kemi të bëjmë me vepra penale”, tha Shabani. (A2 Televizion)