Qitje luftarake në bregdetin e Vlorës, ndalohet lundrimi e peshkimi në zonën Bristan-Kepi i Gjuhëzës

Nga A2 CNN
22 Qershor 2026, 18:29 | Aktualitet

Qitje luftarake në bregdetin e Vlorës, ndalohet lundrimi e peshkimi

Bashkia e Vlorës ka njoftuar se më 23 dhe 24 qershor 2026 do të zhvillohen stërvitje dhe qitje luftarake bregdetare me armatimin e anijeve, bazuar në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.

Aktiviteti ushtarak do të zhvillohet në zonën Bristan-Kepi i Gjuhëzës, ndërsa autoritetet kanë vendosur masa të rrepta sigurie për të shmangur çdo incident.

Gjatë këtyre dy ditëve do të ndalohet lundrimi i të gjitha mjeteve detare, përfshirë anijet e peshkimit, mjetet turistike dhe skafet, si edhe zhvillimi i aktiviteteve të peshkimit dhe turizmit brenda perimetrit të sigurisë.

Bashkia u ka bërë thirrje peshkatarëve, operatorëve turistikë dhe qytetarëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo aktivitet në zonën e përcaktuar deri në përfundimin e stërvitjes ushtarake.

NJOFTIM I BASHKISË PËR ZHVILLIMIN E QITJEVE LUFTARAKE BREGDETARE

Bashkia Vlorë njofton të gjithë qytetarët, peshkatarët, operatorët turistikë, subjektet private dhe përdoruesit e mjeteve lundruese se, bazuar në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes (Reparti Ushtarak Nr. 2030 – Distrikti Detar Jugor), më datat 23 dhe 24 Qershor 2026 do të zhvillohen stërvitje dhe qitje luftarake bregdetare me armatimin e anijeve në zonën:

???? Bristan – Kepi i Gjuhëzës

Për garantimin e sigurisë së jetës dhe shmangien e çdo incidenti, gjatë zhvillimit të aktivitetit ushtarak:

Ndalohet rreptësisht:

Lundrimi i çdo mjeti detar, përfshirë anijet e peshkimit, mjetet turistike, skafet dhe mjetet e tjera lundruese brenda zonës së përcaktuar;

Qëndrimi dhe qarkullimi i personave të paautorizuar në zonat bregdetare të prekura nga aktiviteti;

Ushtrimi i aktiviteteve të peshkimit dhe i aktiviteteve turistike në perimetrin e sigurisë gjatë datave të zhvillimit të qitjeve.

Koordinatat e zonës së sigurisë janë:

* 40°25’00” V – 19°18’00” L

* 40°25’00” V – 19°12’00” L

* 40°20’00” V – 19°15’00” L

* 40°20’00” V – 19°22’00” L

Bashkia Vlorë u bën thirrje të gjithë peshkatarëve, operatorëve turistikë, banorëve dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë të tregojnë mirëkuptim dhe të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e autoriteteve përgjegjëse, duke shmangur çdo lëvizje apo aktivitet brenda perimetrit të përcaktuar gjatë datave 23-24 Qershor 2026.

Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

BASHKIA VLORË (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos