Në Berlin po mbahet konferenca e radhës në lidhje me Procesin e Berlinit. Temat e trajtuara lidheshin me vazhdimin e reformave dhe forcimit të procesit të Berlinit në rajon, shkruan A2 CNN. Ndërsa Shqipëria kësaj radhe vjen me një status tjetër, atij të kandidatit zyrtar për integrimin në BE.
Tabaku kërkoi gjithashtu që procesi i integrimit të dalë nga dyert e burokracisë së qeverisë, siç e cilësoi ajo, dhe t'u drejtohet qytetarëve. Ajo theksoi se ky nuk është një proces teorik, por praktik, dhe shqiptarët duan të shohin ndryshime reale. Reformat janë të domosdoshme dhe duhet të jenë gjithëpërfshirëse për të siguruar progres të qëndrueshëm.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime të mëdha lidhur me mungesën, sipas saj, të një reforme të qenësishme zgjedhore, e cila vazhdon të minojë integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas Tabakut, një reformë e gjithëanshme zgjedhore është thelbësore për të siguruar zgjedhje të lira dhe transparente, siç rekomandohet nga OSBE-ODIHR prej më shumë se dhjetë vitesh. Ajo kritikoi atë që e quajti hezitim të qeverisë për të zbatuar këto reforma.
Ajo bëri thirrje për reforma të vërteta, të cilat janë përjashtuese dhe dypartiake, dhe jo komisione partizane që dështojnë në dhënien e ndryshimeve thelbësore. Procesi i Berlinit, argumentoi ajo, duhet të përdoret si një mjet për të nxitur bashkëpunimin, jo si një vegël për interesat partiake. Shqipëria, theksoi ajo, ka nevojë për reforma të vërteta institucionale për të luftuar korrupsionin me efektivitet dhe për të siguruar një rrugë të qëndrueshme drejt integrimit europian.
Duke përfunduar fjalimin e saj, Tabaku kërkoi respektimin e parimeve demokratike, nxitjen e bashkëpunimit dhe punimin për një Shqipëri të gatshme për anëtarësim në BE. "Opozita duhet të trajtohet si një partner në demokraci, jo si një kundërshar," deklaroi ajo, duke bërë thirrje për mazhorancën që të respektojë frymën e ligjit dhe të sigurojë që balanca e pushteteve të respektohet. (A2 Televizion)