Takimi i Ramës në Athinë, Basha: U ka kërkuar kryebashkiakëve të PS, t’ia mbushin stadiumin

Nga A2 CNN
11 Maj 2024, 14:04 | Politikë

Nga Elbasani ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të kësaj dege, Lulzim Basha, komentoi takimin e Edi Ramës me shqiptarët në Athinë. Sipas kreut të PD zyrtare, Rama i ka larguar shqiptarët dhe tani kërkon t’i takojë.

Kreu i PD gjithashtu tha se Rama në takimin me 55 kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste, u ka dhënë urdhër që të çojnë njerëz jashtë vendit për t’ia mbushur stadiumet ku do të bëjë takimet.

"Tani që ka zbrazur Shqipërinë, po shkon tek eksporti i tij, po shkon te diaspora. A po shkon vallë te diaspora? Se lajmet e fundit tregojnë se i ka mbledhur 55 kryetarët e bashkive dhe u ka dhënë kuota, bashkitë e vogla nga 50, bashkitë e mëdha nga 100 për të mbushur stadiumin. Pse? Që të ndihet mirë Edi Rama. Dhe të eksportojë edhe më shumë shqiptarë. Dhe kryetarët e bashkive, duke nisur nga ky i Elbasanit, që kanë harruar se çfarë është shërbimi ndaj qytetarëve, i janë kthyer në vegla të shfaqjes së “one man show” të Edi Ramës, shfaqje me një njeri, që nuk bën më të qesh për asnjë njeri. Bën të qajë shumë nëna dhe baballarë, prindër fëmijësh. Po shkon atje ku i ka përzënë shqiptarët, atje ku vazhdon t’i përzë shqiptarët, për t’ju thënë çfarë? Që pas 4 palë zgjedhjesh premtime për votën e diasporës, se bën votën e Diasporës". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos