Tension e flakë në seancë, opozita përplaset me Gardën, socialistët fjalime në “tym”

Nga Ervin Koçi
4 Dhjetor 2023, 13:57 | Politikë

Demokratët ia arritën edhe kësaj here të bllokonin punimet e Kuvendit. Seanca plenare e cila në rend dite kishte hallet e popullit nxori edhe më shumë në pah hallet e partive parlamentare, ku opozita vijon të akuzojë mazhorancën se i ka hequr të drejtën e hetimit parlamentar.

Garda e Republikës kishte marrë edhe më shumë masa për të parandaluar futjen e flakadanëve në sallën e seancave plenare, duke bërë kontroll të imtësishëm ndaj deputetëve, veprime këto që hera-herës sollën edhe përplasjen ndërmjet tyre. 

Kontrolli i gardës arriti të ndalte një pjesë të mirë të flakadanëve, por demokratët arritën gjithsesi të ndiznin katër prej tyre në sallë. Socialistët nga ana e vet tentuan të tregonin vendosmërinë për të vijuar diskutimet pavarësisht situatës, sjellje kjo që duket se shqetësoi opozitarët.

Flamur Noka tentoi t’i vinte flakën barrikadës me karrige që ishte mbledhur rreth foltores, veprim ky që alarmoi Lindita Nikollën për të mbyllur menjëherë diskutimet.

Seanca e radhës është parashikuar në datën 7 dhjetor kur do të miratohet buxheti nen për nen për të cilën demokratë kanë nisur përgatitjen për bllokadën e radhës.

Për opozitën, kjo krizë parlamentare lidhet me mungesën e vullnetit të mazhorancës për ngritjen e tri komisioneve hetimore ku shumica socialiste tashmë ka propozuar edhe një projektligj për ndryshimin e funksionimit të tyre.

Veprimet e demokratëve edhe këtë herë u bënë objekt i organeve ligjzbatuese, ku për të disatën herë radhazi, pas largimit të deputetëve erdhën oficerët e BKH për të kryer hetimet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos