Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH, protestë para Medresesë së Tiranës për largimin e “gylenistëve”

Nga A2 CNN
2 Mars 2024, 11:23 | Sociale

Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH, protestë para Medresesë

Bujar Spahiu u rizgjodh kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Me 82 vota, Spahiu fitoi zgjedhjet kundër Eduard Shefkiut, Administrator i Myftinisë së Durrësit dhe Emirjon Vathajt, Myfti i Beratit. Ky është mandati i dytë për Spahiun, i cili u zgjodh për herë të parë më 2 mars të vitit 2019.

Kush është Bujar Spahiu?

Bujar Spahiu ka lindur më 26 shkurt 1976 në Kukës. Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në Shkollën “Lidhja e Prizrenit në Kolesjan, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992. Kështu më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi.

Më pas ai kreu studimet Teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit). H. Bujar Spahiu ka një kontribut të gjatë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku ka shërbyer si drejtor në Drejtorinë e Arsimit në KMSH nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe nga vitit 2009 deri në vitin 2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit në këtë institucion.

Polemikat

Zgjedhja e Spahiut 5 vite më parë u shoqërua me akuza nga ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili e akuzoi Spahiun si “gylenist”. “Sot jemi përballë kapjes së institucionit. Lejomëni të flas në shqipen e Naim Frashërit. Do të jem brenda etikës qytetare, që titulli i KMSH nuk mund të zgjidhet nga organizëm okult. Jo shumë larg, vetëm 5 vite më parë kur nën përgjegjësinë e kryetarit të këshillit të përgjithshëm, në 8 mars 2014, komunitetit Mysliman të Shqipërisë iu imponua, iu katapultua, po nga këta organizma okultë një kryetar.

Ndjej detyrim qytetar dhe besimor që nën presionin e atëhershëm, sot ju imponua myslimanëve një titullar. Në 5 vite nuk kemi parë asgjë (nuk kam asgjë me atë si person). Komuniteti ka humbur pronat, nuk ka bashkëpunuar me Myftininë e Tiranës, por edhe të tjerat. Edhe ato pak të ardhura kanalizohen jashtë objektivave. Dërgesat kalojnë pa transparencë nga kryesia.

Ajo çka përmenda, organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar komunitetit mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve dhe disa myftinive dhe Shoqërisë Civile dje katapultuan titullarin. Kjo organizatë dihet publikisht. Gylenistët apo Kemalistët nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarje dhe të tilla katapultime në krerët myslimanë të këtij vendit”, deklaronte Gurra për A2 CNN në vitin 2019.

Pak ditë më parë, gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama në Ankara, Presidenti turk, Recep Tayipp Erdogan kërkoi largimin e personave të lidhur me Fetullah Gylen, klerikun turk që jeton në Shtetet e Bashkuara, organizata e të cilit, FETO, është shpallur terroriste në Turqi. “Pjesë e agjendës tonë ishte edhe pastrimi i mbetjeve të organizatës terroriste që vazhdon aktivitete e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që ajo t’i arrijë objektivat e saj dhe po ashtu shohim që autoritet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë”, tha Erdogan.

Thirrja u pasua me një ngjarje të pahijshme në një prej xhamive të Tiranës, Dine Hoxha, ku besimtarët nuk lejuan Myftiun e Tiranës, Lauren Luli, të mbante një fjalim.

Në një prononcim për “Dita jonë” në A2 CNN, Floriar Arapi, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimtari që u ngrit i pari në xhami për të kundërshtuar fjalën e Lulit, tha se ai dhe drejtuesit e KMSH janë pjesë aktive e organizatës FETO. Arapi deklaroi se në Shqipëri, ndonëse ka një numër të vogël besimtarësh nga FETO, ata kanë mundur të uzurpojnë institucionet drejtuese të komunitetit, por janë infiltruar edhe në administratë për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH, protestë para Medresesë

“Debati është publik me myftiun e Tiranës. Myftiu i Tiranës është njeriu organizativ i FETO. Është akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve në KMSH. Në një xhami në institut është larguar me shpejtësi pasi është përplasur fizikisht. Lëvizja Gylen ka një numër të vogël te besimtarët shqiptarë dhe janë të padukshëm. Mirëpo kur vjen në kapjen e KMSH, ata janë infiltruar dhe janë shumica e myftive dhe anëtarëve të këshillit. Është e kapur dhe besimtarët janë të irrituar, pasi nuk janë përfaqësues të tyre. FETO, i infiltruar në shumë institucione dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm. Është një rrezik permanent”, tha Arapi.

Ndërkohë, para Medresesë së Tiranës, disa dhjetëra besimtarë kanë zhvilluar një tubim, për të kundërshtuar manipulimin e zgjedhjeve që sipas tyre po ndodh në KMSH dhe uzurpimin që po i bëhet institucionit nga ndjekësit e Gylenit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos