Dhuna në familje, rritja e rasteve, sensibilizim që do përkrahje

Nga Rigels Malile, Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
5 Dhjetor 2024, 14:23 | Sociale

Dhuna në familje tashmë është një fenomen që ka prekur të gjitha qytetet e vendit. Vetëm duke ju referuar rasteve zyrtare të regjistruara në gjykatë, në Gjirokastër dhe Fier, shënohen minimalisht 2 raste në ditë të dhunës në familje për secilin qark.

Në Gjirokastër rastet e dhunës në familje, sipas psikologëve që i kanë ndjekur, janë denoncuar kur mosmarrëveshjet kanë arritur pikën maksimale të konfliktit dhe për këtë arsye ato apelojnë që viktimat e dhunës pas urdhrit të mbrojtjes duhet të trajtohen nga specialistët dhe të mos lihen në mëshirë të fatit.

“Ka patur edhe në Gjirokastër raste të dhunës por mund të themi që ajo vjen dhe denoncohet kur si e themi ne: nuk mban më ujë pilafi. Se zakonisht dhuna mbetet brenda katër mureve të shtëpisë, nuk denoncohet”, tha për A2 CNN, psikologja në Gjirokastër, Laureta Mamani.

Por çfarë trajtojnë zyrat vendore kundra dhunës në familje dhe si e shikojnë ato rritjen e rasteve?

“Ofrojmë për rastet e dhunës në familje shërbim juridik falas, këshillim psikologjik, i trajtojmë me paketa ushqimore dhe higjieno-sanitare. I referojmë te zyra e punës. Kopshtet dhe çerdhet i kanë falas. Si dhe në rast se kanë nevojë për strehim i ofrojmë strehim për 72 orë dhe më pas në varësi të rastit bëhet edhe vlerësimi”, tha për A2 CNN Ledjona Tuke, koordinatore në Bashkinë Gjirokastër.

Sakaq në Fier rastet e dhunës në familje pësojnë rritje në periudhën kur fluksi i emigrantëve është më i lartë, ndërsa personat më problematikë të këtij fenomeni janë çiftet e moshës 45-50 vjeçarë.

“Sipas shifrave ka edhe një ndarje në grup-mosha, apo në cilat mosha është më karakteristike dhuna në familje dhe rezulton që më problematikë të jenë personat e grup-moshës mbi 45 vjeç, që është rasti më i shpeshtë i urdhrave të mbrojtjes. Tre mujori i parë, i dyti, i treti dhe i katërti me shifra rritëse, çka do të thotë se në këto periudha shtëpitë, banesat janë më të populluara se vijnë edhe emigrantët dhe mendoj se kjo është një nga arsyet pse fillon me rend rritës pjesa e dhunës në familje”, tha për A2 CNN avokati nga Fieri, Ermal Hamataj.

Mentaliteti dhe trajtimi i bashkëshorteve apo i anëtarëve të familjes së ngushtë si persona që duhen ti binden kryefamiljarit për çdo dhe situate social ekonomike shikohen si shkaktarët kryesorë të dhunës në familje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos