Amad Diallo realizoi “hat-trick”-un e parë në karrierën e tij me Manchester United, duke ndihmuar skuadrën të përmbyste Southamptonin 3-1 në Old Trafford dhe të zgjasë serinë e pamposhtur kundër tyre në 16 ndeshje të Premier League.
Southamptoni e nisi më mirë ndeshjen dhe ishte i pari që rrezikoi me Kamaldeen Sulemana, por André Onana e ndali sulmin e tij nga një kënd i vështirë. Në krahun tjetër, Garnacho humbi një mundësi të artë pas pasimit të Rasmus Højlund, ndërsa një krosim i Kobbie Mainoo-s u ndal nga Taylor Harwood-Bellis.
Pavarësisht dominimit të fillimit, Southampton gjeti avantazhin në minutën e 43-të, kur një goditje këndi e Mateus Fernandes u devijua aksidentalisht nga Manuel Ugarte, duke kaluar mbi vijën fatale.
United hyri me tjetër marsh në pjesën e dytë pas zëvendësimeve të bëra nga Ruben Amorim, por Southamptoni vazhdoi të kërcënonte me Kamaldeen Sulemana dhe Tyler Dibling. Megjithatë, vendosmërisë së Amad Diallo-s nuk iu bë dot ballë. Në minutën e 82-të, ai barazoi pas një aksioni të rastësishëm, duke e kthyer ndeshjen në favor të “Djajve të Kuq.”
Amad shënoi golin e dytë pas një kombinimi të bukur me Christian Eriksen dhe përmbylli mbrëmjen e tij të mrekullueshme në sekondat e fundit, duke përfituar nga një gabim i Harwood-Bellis. Ky rezultat e ngjiti Manchester United në vendin e 12-të, ndërsa Southamptoni vijon krizën në transfertë, me 18 ndeshje pa fitore. (A2 Televizion)