Al Hilal ka arritur një fitore historike në kampionatin saudit, duke mposhtur Al Fateh me rezultatin 9-0. Ky është triumfi më i madh në historinë e ligës, duke barazuar rekordin që kishin vendosur ndaj Al Hazem vitin e kaluar. Me këtë fitore, Al Hilal mori përkohësisht kryesimin nga Al Ittihad i Karim Benzema e Mario Mitajt dhe gjithashtu u bë skuadra e parë në historinë e futbollit në Arabinë Saudite që kalon 1000 gola.
Ndeshja, që zgjati 112 minuta (me më shumë se 10 minuta shtesë në çdo pjesë), ishte një festival i vërtetë golash për ekipin vendas. Kalidou Koulibaly hapi serinë e golave në minutën e 20-të, ndërsa në pushim të ndeshjes rezultati ishte 4-0. Golat e tjerë erdhën nga Renan Lodi, Marcos Leonardo dhe Sergej Milinkovic-Savic.
Në pjesën e dytë, Marcos Leonardo realizoi një hat-trick, ndërsa gola të tjerë u shënuan nga Al Hamdan, Malcom dhe një autogol i Al Abdulëahed. Al Fateh, me vetëm 6 pikë pas 15 ndeshjesh, nuk arriti të përballojë ekipin më sulmues të ligës, Al Hilal, që tani ka shënuar 48 gola në 15 javë.
Me transferimin e Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite te Al Nasr kjo ligë ka marrë një vëmendje të madhe, por ende portugezi nuk po arrin ta ngjisë ekipin e tij në krye të renditjes, e cila për të dytin vit radhazi po dominohet nga Al Hilal. (A2 Televizion)