Arsenali rindez shpresat për titull, pas ndeshjeve të javës së 21 të Premier League. Për këtë shërbeu përmbysja e madhe në derbin me Tottenham, shkruan A2.
Supersfida e Londrës veriore u zhbllokua në të 25-ën nga Heung-min Son, që festoi rinovimin e kontratës me gol. Arsenali nuk e humbi toruan nga disavantazhi dhe vijoi të shtyjë përpara, duke rikthyer barazimin në të 40-ën me Solanke, që futi në portën e tij topin pas goditjes me kokë të Gabriel.
Avantazhi i “Topçinjve” erdhi në fundin e pjesës së parë, me Trossard që lëshoi një diagonale të fortë, i nisur drejt portës prej pasimit të Odegaard. Me këtë sukses, Arsenali vijon të ndjekë Liverpool kryesues, duke e ngushtuar distancën në vetëm 4 pikë.
Fitore fantastike edhe për Newcastle, që mposhti 3-0 Wolverhampton falë dy golave nga Isak. Me këtë rezultat, “Qymyrxhinjtë” parakalojnë Chelsea në renditje, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt, që përkthehet në biletë në Champions.
Aston Villa arriti Manchester City në vendin e gjashtë, pas triumfit 1-0 ndaj Evertonit, teksa Crystal Palace fitoi 2-0 në trasfertë me Leicester. (A2 Televizion)
Premier League, Arsenal përmbys Tottenham dhe i bën presion Liverpoolit
