“Durrah City Football Academy”, prezantohen trofetë e “Qytetarëve”

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 17:08 | Futboll

“Durrah City Football Academy”, prezantohen trofetë e

Vetëm një javë më parë u prezantua projekti i Akademisë së Futbollit Dyrrah City, e cila shënoi zbarkimin e gjigandëve anglezë të Manchester City në Shqipëri.

Kompleksi i ri sportiv do të ndërtohet në zonën e Spitallës, në Durrës. Ai pritet të jetë ndër komplekset më moderne stërvitore në rajon, me një impiant sportiv me tetë fusha sportive për të rinj dhe profesionistë, palestra, qendra fizioterapie, ambiente multifunksionale si edhe hapësira rezidenciale, ku do të zbulohen, formohen dhe promovohen talentet e reja të futbollit.

Kampionët e Anglisë, që janë një prej klubeve me buxhetin më të madh financiar në glob, i besuan vendit tonë një nga tetë akademitë e hapura nëpër botë. Ky kampus do t’i shërbejë edhe të gjithë rajonit, ku nëpërmjet ekspertizës dhe trajnimeve më të mira, do të identifikojë dhe zhvillojë yjet e së ardhmes.

Prezantimi i projektit u shoqërua edhe me ekspozimin në Shqipëri të 5 trofeve të fituar nga Manchester City gjatë sezonit të kaluar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar: duke nisur nga Champions League dhe Premier League, për të vijuar me FA Cup, Botërorin për Klube dhe Superkupën e Europës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos