Ethet e kampionit, sot gjysmëfinalja e parë e “Final Four”

Nga A2 CNN
17 Maj 2024, 10:03 | Futboll

Ethet e kampionit, sot gjysmëfinalja e parë e “Final

Sot në mbrëmje do të përcaktohet finalisti i parë për titullin kampion në Shqipëri. Partizani dhe Skënderbeu zbresin, këtë të premte, në Arenën Kombëtare me objektivin e vetëm fitoren.

Një ndeshje direkte që do të vendosë gjithçka dhe që garanton emocione të mëdha. Demat vijnë me synime të qarta të mbrojnë titullin kampion dhe pse detyra në formatin e ri Final 4, do të jetë më e vështirë.

Nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi, Partizani ishte ekipi më në formë në Superligë të paktën në 5 javët e fundit në kampionat.

Edhe pse në letër, Demat mund të konsiderohen favoritë në ndeshje të tilla dhe mund të ndodhë gjithçka.

Skënderbeu i trajnerit, Ivan Gvozdenovic, ka lojtarë të rinj me talent që në çdo përballje kanë treguar se nuk dorëzohen deri në sekondën e fundit. Takimi Partizani-Skënderbeu luhet sot në orën 20:00 në Arenën kombëtare këtu në kryeqytet.

Ndonëse Skënderbeu ishte ekipi i fundit që siguroi një biletë mes 4 ekipeve më të mira në Superiore, nuk duhet nënvlerësuar aspak nga skuadrat e tjera e veçanërisht nga Partizani.

Korçarët janë kthyer në një mace të zezë për demat, pasi janë ekipi që i kanë marrë më shumë pikë dhe i kanë hapur më tepër probleme.

Në 4 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, 2 fitore regjistron Skënderbeu, një takim është mbyllur në barazim 1-1 ndërsa reagimi i Partizanit erdhe vetëm  në ndeshjen e fundit të zhvilluar në maj, kur ekipi i kuq fitoi 1-0 vetëm 5 minuta para fundit me golin e Alfred Mensah.

Rivaliteti është gjithmonë i pranishëm mes këtyre dy ekipeve që edhe këtë mbrëmje kanë synim vetëm për fitore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos