Kjo mesjavë ia lë vendin Kupës së Shqipërisë me ndeshjet e fazës së 1/8.
8 takimet janë të programuara në dy ditë, shkruan A2. Të martën, Tirana do të presë në stadiumin e Vorës Bylisin me synimin për të hedhur një hap drejt kualfikimit më tej. Për bardheblutë ky trofe mund të jetë shpëtimi i vetëm i sezonit, duke parë ecurinë e tyre në kampionat. Megjithatë, sipas trajnerit Gugash Magani, në skuadër nuk ka presion. Djemtë janë gati dhe do të luajnë vetëm për fitore.
Ndërkohë, në po të njëjtën kohë, në orën 13:00, Laçi pret në shtëpi Kukësin. Edhe pse në letër kurbinasit janë më të fortë, verilindorët do të tentojnë për të bërë surprizën.
6 takimet e tjera të vlefshme për fazën e 1/8 të Kupës, do të luhen të mërkurën. Kampionët në fuqi të trofeut, Egnatia, sfidojnë Kastriotin në shtëpi. Rrogozhinasit edhe këtë sezon do të luajnë për çdo trofe. Dinamo nga ana tjetër luan me Erzenin e Shijakut, ndërsa Vllaznia dhe Skënderbeu kanë një detyrë më të vështirë. Shkodranët luajnë me Besën, ndërsa korçarët me Vorën, dy ekipe që po bëjnë mjaft mirë në Kategorinë e Parë dhe janë pretendente për t’u futur në elitë edicionin tjetër.
Ndërkohë, Partizani luan me Apoloninë, ndërsa gjithçka mbyllet në “Niko Dovana”, aty ku Teuta pas humbjes në kampionat, kërkon të marrë hak ndaj Elbasanit.
Në vetëm 90 minuta vendoset gjithçka dhe do të përcaktohen cilat do të jenë ekipet çerekfinaliste. (A2 Televizion)