Mbrëmjen e sotme do të luhen tre finalet playoff në Nations League, të cilat do të përcaktojnë edhe tre ekipet e fundit pjesëmarrëse në fazën e grupeve të Euro 2024.
Në Ligën A, sfidohen Uellsi dhe Polonia. Uellsianët kanë avantazhin se ndeshja luhet në Kardif dhe pasi kaluan me shifrat 4-1 Finlandën duhet të bëjnë një sforco të fundit. Në anën tjetër, Polonia që dështoi në grupin eliminator me Shqipërinë, ka shansin e fundit të luajë në Gjermani.
Në moshën 35-vjeçare Robert Levandovski duhet të shndërrohet edhe një herë në lojtarin vendimtar dhe të udhëheqë skuadrën drejt triumfit. Ai mund të mbështetet edhe te yjet e tjerë të ekipit, si Shezni, Zielinski apo Zalevski. Ekipi fitues do t’i bashkohet Holandës, Austrisë dhe Francës në Grupin D. (A2 Televizion)