Java e 20 e Serisë A konfirmoi Napolin si kryesues dhe Interin që vijon të mbetet në ndjekje. Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte mposhti 2-0 Veronën, me nga një gol në secilën pjesë të lojës dhe konsolidon vendin e parë me 47 pikë, 4 më tepër se zikaltërit.
Në stadiumin “Maradona” rezultati u zhbllokua në të pestën, me autogolin e Montipo, që ishte i pafat duke devijuar goditjen e Di Lorenzo. Në fraksionin e dytë të lojës, Napoli realizoi edhe rrjetën e sigurisë në të 61-ën me të majtën fituese të Anguissa.
Një fitore që shërbeu për të harruar disi edhe çështjen Kvaratskhelia, që ka kërkuar largimin nga ekipi, shkruan A2.
Më përpara, Interi i kishte ushtruar presion rivalëve, pas fitores minimale në fushën e Venezias. Goli i Darmian në të 16-ën i dha suksesin ekipit të Inzaghit, që mbetet pranë rivalëve për titullin.
Kjo fitore shërbeu edhe si reagim nga skuadra zikaltër, pas disfatës në Superkupën e Italisë, në derbin përballë Milanit. Ky ishte suksesi i gjashtë me radhë në trasfertë në kampionat për Interin.
(A2 Televizion)