“Është anëtar i Vëllazërisë Myslimane”, Benzema çon në gjyq ministrin e Brendshëm të Francës

Nga A2 CNN
17 Janar 2024, 09:12 | Futboll

“Është anëtar i Vëllazërisë

Ylli i futbollit, Karim Benzema, ka ngritur një padi për shpifje kundër ministrit të Brendshëm të Francës, pasi ky i fundit e akuzoi sulmuesin për lidhje me organizatën “Vëllazëria Myslimane”.

Në tetor, Darmanin tha se Benzema "ka një lidhje famëkeqe” me grupin islamik mysliman sunit, por avokati i futbollistit në padinë e ngritur ndaj ministrit pretendon se kjo deklaratë e tij "minon" nderin dhe reputacionin e yllit të Al Ittihad.

Në padinë e tij prej 92 faqesh, të raportuar gjerësisht në mediat franceze të martën, Benzema thotë se "kurrë nuk ka pasur as lidhjen më të vogël me organizatën Vëllazëria Myslimane, as me këdo që pretendon se është anëtar i saj".

Unë jam i vetëdijshëm për masën në të cilën, për shkak të famës sime, jam duke u përdorur në lojëra politike, të cilat janë edhe më skandaloze duke qenë se ngjarjet dramatike që nga 7 tetori meritojnë diçka krejtësisht të ndryshme nga kjo lloj deklarate”, shprehet ish-ylli i Real Madrid.

Edhe avokati i tij Hugues Vigier tha për median franceze RTL se futbollisti është viktimë e "shfrytëzimit politik" dhe akuzoi ministrin e Brendshëm për "mbjellje të përçarjes në Francë".

Komenti i Darmanin në tetor erdhi pasi lojtari u shpreh hapur në platformën X, në mbështetje të popullit të Gazës, duke i cilësuar ata në një postim si "viktima të bombardimeve të padrejta që nuk kursejnë as gratë e as fëmijët".

Duke vënë në dukje mungesën e empatisë së ngjashme nga ana e Benzema për rreth 1300 viktimat izraelite që militantët e Hamasit vranë më 7 tetor, Darmanin tha se ish-sulmuesi francez ishte "i njohur për lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane".

Ne po luftojmë grupin që është Vëllazëria Myslimane, sepse ajo krijon një atmosferë xhihadizmi”, tha politikani për kanalin televiziv konservator CNews.

Darmanin më herët ka vënë në shënjestër Benzeman edhe për arsye të tjera, duke përfshirë refuzimin e tij për të kënduar himnin kombëtar francez.

Sa i përket “Vëllazërisë Myslimane”, grupi u themelua rreth 80 vjet më parë në Egjipt dhe ka mbështetur shumë organizata islamike moderne, duke përfshirë Hamasin.

Kryesisht një lëvizje ideologjike pa strukturë formale dhe ndërsa është e ndaluar në shumë vende, ajo nuk është e kufizuar në pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni